Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 21:10-21

Zbulesa 21:10-21 AL1

Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë. Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor. Ai kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta dhe mbi to qëndronin dymbëdhjetë engjëj. Mbi porta ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi. Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij. Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dy mijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta. Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu. Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi. Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi, i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti. Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm.