Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 19

19
1Pastaj dëgjova në qiell një si zë të lartë turme të madhe që tha:
«Aleluja!
Shpëtimi, lavdia e fuqia
i përkasin Perëndisë tonë,
2se gjykimet e tij janë të vërteta e të drejta.
Ai e gjykoi laviren e madhe
që e çoi tokën në shthurje me kurvërinë e saj
dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij
të vrarë nga duart e saj».
3Pastaj thanë përsëri:
«Aleluja!
Tymi i shkrumbimit të saj ngjitet lart,
në shekuj të shekujve».
4Atëherë të njëzet e katër pleqtë e të katër gjallesat ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur në fron duke thënë:
«Amen! Aleluja!».
Dasma e Qengjit
5Pastaj nga froni doli një zë që tha:
«Lëvdoni Perëndinë tonë
të gjithë ju shërbëtorët e tij
dhe ju që e druani,
të mëdhenj e të vegjël».
6Dëgjova edhe një si zë turme të madhe, posi ushtimë detesh e bubullimash të forta që tha:
«Aleluja!
Mbretëroi Zoti,
Perëndia ynë i gjithëpushtetshëm.
7Le të gëzohemi e të ngazëllehemi,
le t'i japim lavdi atij,
se erdhi dasma e Qengjit
dhe nusja është bërë gati».
8Asaj i dhanë për të veshur
një rrobë të ndritshme prej liri të pastër.
Kjo rrobë përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve.
9Pastaj engjëlli më tha: «Shkruaj: lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit». Dhe shtoi: «Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë».
10Unë rashë përmbys para këmbëve të tij për ta adhuruar, ndërsa ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që ruajnë dëshminë e Jezuit. Adhuro Perëndinë!». Dhe dëshmia e Jezuit është shpirti i profecisë.
Kalorësi me kalin e bardhë
11Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. 12Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. 13Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». 14Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. 15Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t'i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. 16Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve».
17Pastaj pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai u foli me zë të fortë të gjithë shpendëve që fluturonin në mes të qiellit: «Ejani e mblidhuni në darkën e madhe të Perëndisë, 18që të hani mish mbretërish, prijësish ushtarakë e të fortësh, mish kuajsh e kalorësish, mishin e të gjithë njerëzve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj».
19Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e tokës me ushtritë e tyre që ishin mbledhur për të luftuar kundër atij që rrinte mbi kalë dhe ushtrisë së tij. 20Bisha u kap dhe bashkë me të edhe profeti i rremë që në prani të saj bënte shenja, me të cilat mashtronte ata që kishin marrë damkën e bishës dhe që kishin adhuruar shëmbëlltyrën e saj. Pastaj, që të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. 21Të tjerët u vranë nga shpata që dilte nga goja e kalorësit dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zbulesa 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr