Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 18

18
Rënia e Babilonisë
1Pastaj pashë një engjëll tjetër që po zbriste nga qielli. Ai kishte pushtet të madh dhe toka u ndriçua nga lavdia e tij. 2Atëherë engjëlli thirri me zë të lartë:
«Ra, ra
Babilonia e madhe!
Ra e u bë banesë djajsh,
strofull e çdo shpirti të ndyrë,
shpendi të papastër
e bishe të fëlliqur e të urryer.
3Me verën e zemërimit të kurvërisë së saj
u dehën gjithë kombet.
Mbretërit e tokës bënë kurvëri me të,
ndërsa tregtarët e tokës u pasuruan
me kamjen e saj të shfrenuar».
4Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli që tha:
«Populli im, dilni prej saj,
që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj
e të mos merrni plagë
nga plagët e saj.
5Se, mëkatet e saj arritën deri në qiell
dhe Perëndia i kujtoi padrejtësitë e saj.
6Silluni me të siç u soll ajo me ju,
shpërblejani dyfish veprat,
ndërsa kupën që ju dha të pini,
mbushjani dy herë më shumë.
7Jepini asaj po aq mundim e vajtim,
sa i dha lavdi e kamje vetes,
ajo që vazhdon të thotë në zemrën e vet:
“Unë rri ulur si mbretëreshë,
nuk jam vejushë,
nuk do të shoh kurrë vajtim me sy”.
8Prandaj në një ditë të vetme do të mblidhen plagët e saj:
vdekja, vajtimi e zia e bukës.
Ajo do të digjet e tëra në zjarr,
se Zoti Perëndi që e gjykon është i fuqishëm.
9Mbretërit e tokës, që bënë kurvëri me të dhe dëfryen me kamjen e saj, do ta qajnë e do të vajtojnë kur të shohin tymin e flakëve të saj. 10Ata do t'i qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj e do të thonë:
“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,
o qytet i fortë, Babiloni,
se brenda një ore të erdhi ndëshkimi!”.
11Tregtarët e tokës do të qajnë e do të vajtojnë për të, sepse askush nuk ua blen më mallin, 12mall prej ari e argjendi, gurë të çmuar e margaritarë, pëlhura liri e purpuri, mëndafshi e të kuqe, si dhe gjithfarë drurësh erëmirë e gjithfarë sendesh fildishi e druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri e mermeri, 13kanellë e parfume, temjane, mirrë e livandë, verë e vaj, majë mielli e grurë, gjedhë e dhen, kuaj e qerre, trupa e shpirtra njerëzish. 14Ata do t'i thonë:
“Gjithë të mirat që dëshironte shpirti yt
ikën,
gjithë pasuritë e madhështitë
morën fund
e nuk do t'i gjesh më”.
15Tregtarët që u pasuruan prej saj do të qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj, do të qajnë e do të vajtojnë 16duke thënë:
“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,
veshur me li të purpurt e të kuq,
zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë,
17se gjithë kjo pasuri u shkretua për një orë!”.
Të gjithë kapitenët e anijeve dhe udhëtarët, detarët dhe ata që punonin në lundrim qëndronin larg 18e thërrisnin duke parë tymin e flakëve të saj: “Cili qytet ngjan me qytetin e madh?”. 19Hidhnin dhe mbi kokë e thërrisnin, duke qarë e duke vajtuar:
“Mjerë!
Mjerë qyteti i madh,
me pasurinë e të cilit
të gjithë ata që kishin anije në det!
u pasuruan.
Mjerë, se u shkretua për një orë”.
20Gëzohu për shkatërrimin e saj, o qiell!
Gëzohuni edhe ju të shenjtë,
apostuj e profetë,
se Perëndia e gjykoi
për të keqen që ju bëri».
21Pastaj një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh sa një gur mulliri, e hodhi në det e tha:
«Po kaq furishëm
do të hidhet tej
edhe Babilonia, qyteti i madh,
e nuk do të gjendet kurrë më.
22Tingulli i harpave e i muzikantëve,
fyelltarëve e trumbetarëve,
nuk do të dëgjohet më te ti.
Asnjë mjeshtër,
i çfarëdo mjeshtërie,
nuk do të gjendet më aty
edhe zhurma e mullirit
nuk do të dëgjohet më kurrë.
23Drita e pishtarit
nuk do të ndriçojë më
e nuk do të dëgjohet më
as zë dhëndri e as zë nuseje.
Tregtarët e tu
të mëdhenjtë e tokës ishin,
me magjinë tënde
u mashtruan të gjitha kombet.
24Në ty u gjet gjak profetësh e të shenjtësh,
gjaku i të gjithë atyre që u vranë mbi tokë».

Aktualisht i përzgjedhur:

Zbulesa 18: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë