Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 89:19-37

Psalmet 89:19-37 AL1

Mbrojtja jonë vjen prej ZOTIT, mbreti ynë prej të shenjtit të Izraelit. Në vegim fole dikur me besnikët e tu: «I dhashë ndihmë një trimoshi», the, «Lartësova një të zgjedhur prej popullit. Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, me vajin tim të shenjtë e vajosa. Dora ime do të jetë përherë me të e krahu im do t'i japë forcë. Armiku nuk do ta mposhtë, biri i paudhësisë nuk do t'i bëjë keq. Para syve të tij do t'i thyej armiqtë e tij, ata që e urrejnë do t'i godas. Besnikëria e mirësia ime do të jenë me të, në emrin tim do të bëhet gjithnjë e më i fortë. Dorën e tij do ta shtrij mbi det, të djathtën e tij mbi lumenj. Ai do të më thërrasë: “Ati im je ti, Perëndia im, shkëmbi i shpëtimit tim”, e unë do ta bëj të parëlindurin tim, më të madhin ndër mbretërit e tokës. Mirësia ime do të jetë me të përgjithmonë, besëlidhja me të do të mbetet e pathyeshme. Pasardhësit e tij do t'i ruaj në amshim, fronin e tij për sa kohë të jenë qiejt. Nëse bijtë e tij e lënë ligjin tim e sipas vendimeve të mia nuk ecin, nëse i shkelin rregullat e mia e urdhërimet e mia nuk i mbajnë, me thupër do t'i ndëshkoj shkeljet e tyre, paudhësinë e tyre me fshikullima, por nuk do të heq dorë nga mirësia për të e besnikërinë time për të nuk do ta shkel. Besëlidhjen time nuk do ta thyej, premtimin që bëra nuk do ta ndryshoj. Jam betuar një herë për shenjtërinë time, se Davidin kurrë nuk do ta zhgënjej. Pasardhësit e tij do të mbeten në amshim, sa dielli do të zgjatë froni i tij para meje.