Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 69:1-18

Psalmet 69:1-18 AL1

Shpëtomë, o Perëndi, se më arriti uji gjer në fyt. Jam zhytur thellë në baltë e s'kam ku të mbështetem, kam rënë në ujëra të thella e po më rrëmben rrjedha. U këputa nga britmat e gryka më është tharë, m'u errësuan sytë Perëndinë tim duke pritur. Më të shumtë se qimet e kokës janë bërë ata që më urrejnë kot. Ata që duan të më shkatërrojnë, armiqtë e mi mashtrues, janë bërë të fortë. E unë u dashka të kthej atë që nuk kam vjedhur! O Perëndi, ti e njeh marrëzinë time, fajet e mia nuk janë të fshehura prej teje. Mos u turpërofshin me mua ata që shpresojnë në ty, o Zot, ZOT i ushtrive, mos u poshtërofshin prej meje ata që të kërkojnë ty, o Perëndi i Izraelit. Për ty durova poshtërime dhe fytyrën turpi ma mbuloi. I huaj u bëra për vëllezërit e mi, i panjohur për bijtë e nënës sime. Zelli për shtëpinë tënde më përpiu, poshtërimet e atyre që të përbuzin ranë mbi mua. Qava e agjërova, por edhe kjo më solli poshtërim. Grathore vesha si rrobë e u bëra gazi i tyre. Më përgojuan ata që rrinë portave, pijanecët më bënë këngë. Por unë lutjen time ta drejtoj ty, o ZOT, në kohën e duhur, në mirësinë tënde të madhe, përgjigjmu, o Perëndi, e më jep shpëtimin tënd të vërtetë. Nxirrmë nga balta, që të mos fundosem, çliromë prej atyre që më urrejnë e prej ujërave të thella. Mos më rrëmbeftë rrjedha e ujërave, thellësia e humnerës mos më përpiftë e gryka e pusit mos u mbylltë mbi mua. Përgjigjmu, o ZOT, se e mirë është besnikëria jote, kthehu drejt meje, sipas dhembshurisë sate të madhe. Mos e fshih fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, përgjigjmu sa më shpejt, se jam ngushtë.