Psalmet 44
44
1Mjeshtrit të korit. Himn i bijve të Korahut.
2O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tanë,
etërit tanë na e kanë treguar,
veprën që bëre në ditët e tyre,
në ditët e kahershme.
3Me dorën tënde kombe shfarose
e etërit tanë aty i mbolle,
vend atyre u bëre
e fatkeqësi popujve u solle.
4Tokën nuk e morën me shpatën e tyre,
e s'ishte krahu i tyre që i shpëtoi,
por e djathta jote dhe krahu yt,
drita e fytyrës sate, se i kishe për zemër.
5Ti, o Perëndi, je mbreti im,
ti e vendos shpëtimin e Jakobit.
6Me ndihmën tënde i shpartalluam armiqtë,
me emrin tënd i shtypëm kundërshtarët tanë.
7Shpresën nuk e vura te harku im
e shpëtimin nuk ma solli shpata ime.
8Por, ishe ti që na shpëtove nga armiqtë,
ishe ti që i turpërove ata që na urrenin.
9Me ty, o Perëndi, krenoheshim tërë ditën,
emrin tënd përlëvdonim përherë. selah
10Por tani na ke hedhur poshtë e na ke turpëruar,
me ushtritë tona ti më nuk del.
11Na bëre t'ia mbathim para armiqve tanë,
na kanë plaçkitur ata që na urrejnë.
12Na ke dorëzuar si dele për t'u therur,
na ke shkapërdarë nëpër kombe.
13E shite popullin tënd pa fitim
e nuk përfitove nga çmimi i tij.
14Na bëre tallje për fqinjët tanë,
përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë.
15Na bëre përrallë për kombet,
për ne popujt tundin kokën.
16Poshtërimin e kam tërë ditën para syve
e turpi më ka mbuluar fytyrën,
17prej zërit të atij që më përqesh e më shan,
prej armikut e hakmarrësit.
18Të gjitha këto na kanë zënë,
por ne nuk të kemi harruar
e besëlidhjen tënde s'e kemi shkelur.
19Zemra jonë nuk u kthye pas,
e hapat tanë nuk dolën nga udha jote,
20edhe kur na shtype në strofullën e çakejve
e na mbulove me hije të errët.
21Po ta kishim harruar emrin e Perëndisë tonë
e duart t'i kishin ngritur drejt një perëndie të huaj,
22a s'do ta kishte marrë vesh këtë Perëndia,
ai që njeh të fshehtat e zemrës?
23Për ty po na vrasin tërë ditën
e na trajtojnë si dele për t'u therur.
24Zgjohu! Përse po fle, o Zot?
Ngrihu e mos na hidh poshtë përgjithmonë!
25Përse e fsheh fytyrën tënde?
Përse e harron vuajtjen dhe shtypjen tonë?
26Shpirti ynë ka rënë përdhe
e trupi ynë hiqet zvarrë përtokë.
27Ngrihu të na ndihmosh
e shpengona për hir të mirësisë sate!
Aktualisht i përzgjedhur:
Psalmet 44: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020