Psalmet 42
42
1Mjeshtrit të korit. Himn i bijve të Korahut.
2Ashtu si dreri dëshiron rrëketë e ujërave,
edhe shpirti im të dëshiron ty, o Perëndi.
3Shpirti im është i etur për Perëndinë,
për Perëndinë e gjallë;
kur do të shkoj e të dal para Perëndisë?
4Lotët janë bërë buka ime, ditë e natë,
teksa përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?».
5Këtë kujtoj e më mallëngjehet shpirti:
ecja me njerëzit,
drejt shtëpisë së Perëndisë u prija.
Turma kremtonte plot britma gëzimi e falënderimi.
6Përse lëngon, o shpirti im?
Përse vajton brenda meje?
Shpreso te Perëndia, do ta përlëvdoj sërish,
se prania e tij shpëton.
7O Perëndia im, m'u këput shpirti,
ndaj dhe të kujtoj prej tokës së Jordanit,
prej Hermonit e prej malit të Micarit.
8Humnera humnerës i thërret
me ushtimën e ujëvarave të tua,
të gjitha dallgët e valët e tua kaluan mbi mua.
9Ditën, Zoti dëften mirësinë e tij,
natën unë i thur këngë,
i lutem Perëndisë së jetës sime.
10Do t'i them Perëndisë, shkëmbit tim:
«Përse më ke harruar?
Përse endem i vranët e i shtypur prej armikut?».
11Armiqtë më poshtërojnë,
kockat m'i dërrmojnë,
e përditë më thonë: «Ku është Perëndia yt?».
12Përse lëngon, o shpirti im?
Përse vajton brenda meje?
Shpreso te Perëndia, se do ta përlëvdoj sërish.
Ai është shpëtimtari im dhe Perëndia im.
Aktualisht i përzgjedhur:
Psalmet 42: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020