Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 38

38
1Psalm i Davidit. Si kujtesë.
2Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd,
mos më ndëshko me mërinë tënde.
3Më janë ngulur shigjetat e tua,
dora jote më ka goditur.
4Nuk ka më shëndet në trupin tim,
për shkak të zemërimit tënd,
nuk gjejnë më prehje kockat e mia,
për shkak të mëkatit tim.
5Paudhësitë m'i kanë mbuluar kryet,
si barrë e rëndë peshojnë mbi mua.
6Qelben e kalben plagët e mia,
për shkak të marrëzisë sime.
7Jam kërrusur e gërmuqur krejt,
gjithë ditën endem e vajtoj.
8Ijët më therin nga dhimbja,
nuk ka më shëndet në trupin tim.
9Jam mekur e këputur krejt,
ulërij me zemër të pikëlluar.
10O Zot, gjithë dëshirat e mia janë para teje
e nuk ta kam fshehur rënkimin tim.
11Zemra më rreh fort, fuqia po më lë,
edhe drita e syve po më shuhet.
12Miq e shokë stepen para krusmës sime,
të afërmit më qëndrojnë larg.
13Ata që kërkojnë të ma marrin jetën
më kanë ngritur kurth,
ata që ma duan të keqen flasin për shfarosje,
gjithë ditën bluajnë dredhi.
14E unë, si të isha shurdh, nuk dëgjoj,
si të isha memec, gojë nuk hap.
15Jam bërë si i shurdhër,
që nuk nxjerr asnjë përgjigje nga goja.
16Te ti kam shpresë, o Zot,
ti do të më përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
17E thashë: «Mos i lër të dëfrejnë me mua
e as të krenohen kundër meje, kur të më rrëshqasë këmba».
18Gati u rrëzova,
e dhimbja s'më hiqet sysh.
19E rrëfej paudhësinë time
dhe brengosem për mëkatin tim.
20Por armiqtë e mi rrojnë e janë të fortë,
ata që më urrejnë pa shkak janë shumuar.
21Ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqe
ngrihen kundër meje, se unë ndjek të mirën.
22Mos më braktis, o Zot, Perëndia im,
mos më rri larg.
23Nxito të më ndihmosh, o Zot, shpëtimtari im.

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 38: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr