Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119

119
Alef
1Lum njerëzit me sjellje të përsosur,
që ecin sipas ligjit të Zotit!
2Lum ata që mbajnë dëshmitë e tij,
që e kërkojnë me gjithë zemër,
3që nuk kryejnë paudhësi,
por ecin në udhët e tij.
4Ti ke dhënë porositë e tua,
që me përpikëri të ruhen.
5Qoftë e palëkundur sjellja ime,
që rregullat e tua t'i ruaj.
6Atëherë nuk kam për t'u turpëruar,
kur të këqyr gjithë urdhërimet e tua.
7Do të të përlëvdoj me zemër të dëlirë,
teksa mësoj vendimet e tua të drejta.
8Rregullat e tua do t'i ruaj,
mos më braktis krejt!
Bet
9Si mund ta ruajë i riu të pastër udhën e vet?
Duke ruajtur fjalën tënde.
10Ty të kërkoj me gjithë zemër,
mos më lër t'u shmangem urdhërimeve të tua.
11Thëniet e tua i mbaj fshehur në zemër,
që të mos mëkatoj kundër teje.
12I bekuar je, o Zot,
mësomë rregullat e tua.
13Me buzët e mia i shpalla
tërë vendimet e gojës sate.
14Gëzohem kur ndjek dëshmitë e tua,
si të ishin gjithë pasuria ime.
15Do të përsiat porositë e tua,
do të thellohem në shtigjet e tua.
16Me rregullat e tua do të kënaqem,
fjalën tënde nuk do ta harroj.
Gimel
17Tregohu i mirë me shërbëtorin tënd,
që të jetoj e të ruaj fjalën tënde.
18Hapmi sytë,
që të sodis mrekullitë e ligjit tënd.
19Kalimtar jam unë mbi tokë,
mos m'i fshih urdhërimet e tua.
20Tretet shpirti im prej dëshirës
që ka për vendimet e tua kurdoherë.
21Ti i qorton kryelartët, të mallkuarit,
që u shmangen urdhërimeve të tua.
22Largoje prej meje turpin e poshtërimin,
se dëshmitë e tua i kam ruajtur.
23Edhe kur prijësit mblidhen e flasin kundër meje,
shërbëtori yt përsiat rregullat e tua.
24Dëshmitë e tua janë kënaqësia ime,
ato janë këshilltarët e mi.
Dalet
25Nëpër pluhur zvarritet shpirti im,
jepmë jetë sipas fjalës sate.
26Udhët e mia t'i dëftova e ti m'u përgjigje,
mësomë rregullat e tua.
27Bëmë të kuptoj udhën e porosive të tua,
që të përsiat mrekullitë e tua.
28Lëngon prej brengës shpirti im,
jepmë forcë sipas fjalës sate.
29Mbamë larg udhës së mashtrimit
dhe përdëllemë me ligjin tënd.
30Kam zgjedhur udhën e besnikërisë,
jam dhënë pas vendimeve të tua.
31Jam kapur pas dëshmive të tua,
o Zot, mos lejo të turpërohem!
32Udhës së urdhërimeve të tua vrapoj,
se ti ma bëre zemrën të gufojë.
He
33Mësomë, o Zot, udhën e rregullave të tua,
dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34Me jep mençuri për të mbajtur ligjin tënd
e unë do ta ruaj me gjithë zemër.
35Primë në shtegun e urdhërimeve të tua,
se atje gjej kënaqësi.
36Prire zemrën time drejt dëshmive të tua
e jo drejt lakmisë.
37Largo sytë e mi nga soditja e kotësisë,
jepmë jetë në udhët e tua.
38Mbaje premtimin që i dhe shërbëtorit tënd,
atij që të druan ty.
39Largoje prej meje poshtërimin, që më tmerron,
se vendimet e tua janë të mira.
40Ja, sa i dëshiroj porositë e tua,
jepmë jetë me drejtësinë tënde.
Vau
41Ardhtë mbi mua mirësia jote, o Zot,
shpëtimi yt, sipas fjalës sate,
42që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë,
se te fjala jote kam besim.
43Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës,
se në vendimet e tua kam shpresuar.
44Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë,
përherë e në amshim.
45Do të eci udhës së gjerë,
sepse kërkoj porositë e tua.
46Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua
e turp nuk do të kem.
47Do të kënaqem me urdhërimet e tua,
që aq fort i dua.
48Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua,
rregullat e tua do t'i përsiat.
Zain
49Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd,
me të cilën më dhe shpresë.
50Atë e kam ngushëllim në pikëllime,
fjala jote më mban gjallë.
51Kryelartët më përqeshnin së tepërmi,
por unë nuk u shmanga nga ligji yt.
52Kujtova vendimet e tua të lashta, o Zot,
dhe gjeta ngushëllim.
53Më pushtoi zemërimi për të paudhët,
për ata që braktisin ligjin tënd.
54Rregullat e tua ishin këngë për mua
atje ku isha shtegtar.
55Kujtova emrin tënd natën, o Zot,
dhe ligjin tënd e ruajta.
56Këto më ndodhën mua,
se mbajta porositë e tua.
Het
57 Zoti është pjesa e trashëgimit tim,
premtova se do t'i ruaj fjalët e tua.
58Ty t'u përgjërova me gjithë zemër,
mëshiromë sipas fjalës sate.
59I shqyrtova mirë udhët e tua
dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva.
60Shpejtova e nuk vonova
urdhërimet e tua për t'i ruajtur.
61Leqet e të paudhëve më rrethuan,
por ligjin tënd nuk e harrova.
62Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj
për vendimet e tua të drejta.
63Jam mik me të gjithë ata që të druajnë
e me ata që ruajnë porositë e tua.
64Toka është plot me mirësinë tënde, o Zot,
mësomë rregullat e tua.
Tet
65I bëre të mira shërbëtorit tënd,
sipas fjalës sate, o Zot.
66Mësomë dijen e të dalloj të mirën,
se tek urdhërimet e tua kam besim.
67Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur,
por tani mbaj fjalën tënde.
68I mirë je ti e të mira bën,
mësomë rregullat e tua.
69Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime,
por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua.
70U trash si dhjami zemra e tyre,
ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd.
71Më bëri mirë që u mundova,
se mësova rregullat e tua.
72Më i mirë për mua është ligji i gojës sate,
sesa mijëra monedha ari e argjendi.
Jod
73Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë,
më jep mençuri, që të mësoj urdhërimet e tua.
74Ata që të druajnë gëzojnë kur më shohin,
sepse kam shpresuar në fjalën tënde.
75E di, o Zot, se vendimet e tua janë të drejta,
me të drejtë më ke munduar.
76Më ngushëlloftë, pra, mirësia jote,
sipas fjalës që i dhe shërbëtorit tënd.
77Ardhtë mëshira jote mbi mua, që të jetoj,
se ligji yt është kënaqësia ime.
78U turpërofshin kryelartët,
se më kanë shtypur padrejtësisht,
ndërsa unë do të përsiat porositë e tua.
79Le të kthehen tek unë ata që të druajnë
dhe ata që i njohin dëshmitë e tua.
80Qoftë e përsosur zemra ime me rregullat e tua,
që të mos turpërohem.
Kaf
81Shpirti im digjet për shpëtimin tënd,
në fjalën tënde kam shpresuar.
82Sytë po më treten për fjalën tënde,
prandaj thashë: «Kur do të më ngushëllosh?».
83Jam bërë si caliku i tharë në tym,
por rregullat e tua s'i kam harruar.
84Edhe sa ditë i kanë mbetur shërbëtorit tënd?
Kur do t'ua bësh gjyqin përndjekësve të mi?
85Kryelartët kanë hapur gropa për mua,
ata që s'jetojnë sipas ligjit tënd.
86Tërë urdhërimet e tua janë të vërteta;
po më përndjekin pa të drejtë, ndihmomë!
87Desh më plandosën përtokë,
por unë s'i braktisa porositë e tua.
88Jepmë jetë sipas mirësisë sate
dhe dëshmitë e gojës sate do t'i ruaj.
Lamed
89Përgjithmonë, o Zot,
fjala jote qëndron në qiej.
90Besnikëria jote është brez pas brezi,
ti e themelove tokën e ajo mbahet fort.
91Me urdhrin tënd qëndrojnë deri më sot,
se gjithçka është në shërbimin tënd.
92Po të mos ishte ligji yt kënaqësia ime,
do të kisha humbur në mjerim.
93Porositë e tua nuk do t'i harroj kurrë,
se përmes tyre më ke mbajtur gjallë.
94Yti jam unë, shpëtomë,
se porositë e tua i kërkoj.
95Të paudhët presin të më shkatërrojnë,
por unë përsiat dëshmitë e tua.
96Çdo përsosmërie ia kam parë cakun,
por urdhërimi yt është i gjerë pa fund.
Mem
97Sa shumë e dua ligjin tënd!
Gjithë ditën e përsiat!
98Urdhërimi yt më bën më të urtë se armiqtë,
se është përherë me mua.
99Jam më i ditur se të gjithë mësuesit e mi,
sepse dëshmitë e tua janë përsiatja ime.
100Jam më i mençur edhe se pleqtë,
sepse mbaj porositë e tua.
101I kam shmangur këmbët nga çdo udhë e keqe,
që të ruaj fjalën tënde.
102Prej vendimeve të tua nuk jam shmangur,
sepse më ke mësuar ti.
103Sa të ëmbla fjalët e tua për qiellzën time,
më të ëmbla se mjalti në gojën time!
104Prej porosive të tua bëhem më i mençur,
prandaj e urrej çdo udhë të gënjeshtërt.
Nun
105Fjala jote është llambë për këmbën time,
dritë për shtegun tim.
106Jam betuar e fjalën do ta mbaj:
vendimet e tua të drejta do t'i ruaj.
107Jam munduar së tepërmi,
o Zot, jepmë jetë sipas fjalës sate!
108Pranoji, o Zot, zotimet e gojës sime
dhe mësomë vendimet e tua.
109Jeta ime është përherë në rrezik#119.109 he. Shpirti im është përherë në dorën time,
por ligjin tënd nuk e harroj.
110Të paudhët më kanë ngritur kurth,
por nuk u jam shmangur porosive të tua.
111Dëshmitë e tua janë trashëgimia ime përjetë,
se ato janë gëzimi i zemrës sime.
112E kam vendosur në zemrën time,
që rregullat e tua t'i zbatoj përjetë, deri në fund.
Samek
113I urrej ata që janë me dy fytyra,
por e dua ligjin tënd.
114Ti je streha dhe mburoja ime,
shpresoj në fjalën tënde.
115Largohuni prej meje, o ju që bëni të keqen,
që të zbatoj urdhërimet e Perëndisë tim.
116Përkrahmë sipas fjalës sate, që të jetoj,
e mos lejo të më shuhen shpresat.
117Mbamë fort e do të shpëtoj,
rregullat e tua do t'i kem përherë në mendje.
118Ti i hedh poshtë të gjithë sa u shmangen rregullave të tua,
se ata janë plot gënjeshtër e mashtrim.
119Gjithë të këqijtë i zhbin si zgjyrë nga faqja e dheut,
prandaj unë i dua dëshmitë e tua.
120Më dridhet mishi prej frikës sate,
prej gjykimeve të tua më zë tmerri.
Ain
121Kam vepruar me gjykim e drejtësi,
mos më lër në dorë të shtypësve të mi.
122Bëhu dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd,
që të mos më shtypin kryelartët.
123Sytë po më treten për shpëtimin tënd
e për fjalën e drejtësisë sate.
124Vepro me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate
e mësomë rregullat e tua.
125Shërbëtori yt jam unë, bëmë të kuptoj,
që t'i njoh dëshmitë e tua.
126Është koha të veprosh, o Zot,
se e kanë thyer ligjin tënd.
127Prandaj i dua urdhërimet e tua,
më shumë se arin, arin e kulluar.
128Prandaj i mbaj si të drejta gjithë porositë e tua
dhe e urrej çdo udhë të gënjeshtërt.
Pe
129Dëshmitë e tua janë të mrekullueshme,
prandaj i ruan shpirti im.
130Zbulimi i fjalëve të tua sjell ndriçim,
njerëzve të thjeshtë u jep mençuri.
131Hapa gojën e dihata
nga dëshirimi për urdhërimet e tua.
132Kthehu nga unë e mëshiromë,
sipas vendimit që ke marrë
për ata që duan emrin tënd.
133Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate
e mos lejo të më sundojë asnjë paudhësi.
134Çliromë nga njerëzit që më shtypin,
që të ruaj porositë e tua.
135Le të ndriçojë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd,
mësomë rregullat e tua.
136Rrëke lotësh derdhën sytë e mi,
se ligji yt nuk zbatohet.
Cade
137I drejtë je ti, o Zot,
të drejta vendimet e tua.
138Ti ke dhënë dëshmi të drejta
e më se të besueshme.
139Zelli po më bren,
se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua.
140Fjala jote është e sprovuar në zjarr,
prandaj shërbëtori yt e do.
141I vogël jam unë e i përbuzur,
por porositë e tua nuk i harrova.
142Drejtësia jote është e drejtë përjetë
dhe ligji yt është i vërtetë.
143Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi,
por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua.
144Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar,
bëmë të kuptoj, që të kem jetë.
Kof
145Po thërras me gjithë zemër,
përgjigjmu, o Zot,
rregullat e tua do t'i ruaj.
146Po të thërras, shpëtomë,
dëshmitë e tua do t'i ruaj.
147Zgjohem para agimit e thërras për ndihmë,
shpresoj në fjalën tënde.
148Sytë e mi rrinë zgjuar çdo rojë të natës,
për të përsiatur fjalët e tua.
149Dëgjoma zërin sipas mirësisë sate,
o Zot, jepmë jetë sipas gjykimit tënd.
150Më janë afruar ata që rendin pas paudhësisë,
larg janë nga ligji yt.
151Por ti, o Zot, je afër
dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
152Qëmoti kam mësuar prej dëshmive të tua
se i ke caktuar për amshim.
Resh
153Shih mjerimin tim e çliromë,
se nuk e kam harruar ligjin tënd.
154Mbroje çështjen time e shpengomë,
jepmë jetë sipas fjalës sate.
155Shpëtimi është larg nga të paudhët,
se nuk i kërkojnë rregullat e tua.
156Përdëllimet e tua janë të mëdha, o Zot,
jepmë jetë sipas vendimeve të tua.
157Të shumtë janë përndjekësit dhe armiqtë e mi,
por nga dëshmitë e tua nuk jam shmangur.
158I pashë të pabesët e më erdhi pështirë,
se nuk e mbajtën fjalën tënde.
159Shih sa i dua porositë e tua,
o Zot, jepmë jetë sipas mirësisë sate.
160Parimi i fjalës sate është e vërteta,
çdo vendim i yt i drejtë është për amshim.
Sin
161Prijësit më përndjekin pa shkak,
por zemra ime trembet veç prej fjalës sate.
162Ngazëllej për fjalën tënde,
si ai që gjen shumë plaçkë.
163E urrej mashtrimin e më kall krupën,
por ligjin tënd e dua.
164Të lavdëroj shtatë herë në ditë
për vendimet e tua të drejta.
165Paqe të madhe kanë ata që duan ligjin tënd,
asgjë nuk i pengon.
166Shpëtimin tënd pres, o Zot,
dhe mbaj urdhërimet e tua.
167Shpirti im i ruan dëshmitë e tua
e unë fort i dua.
168Porositë dhe dëshmitë e tua i kam mbajtur,
gjithë udhët e mia janë para teje.
Tau
169Ardhtë përgjërimi im para teje, o Zot,
bëmë të kuptoj sipas fjalës sate.
170Mbërrittë lutja ime para teje,
sipas fjalës sate çliromë.
171Nga buzët e mia do të burojnë lavde,
se më ke mësuar rregullat e tua.
172Gjuha ime shpalltë fjalën tënde,
se gjithë urdhërimet e tua janë të drejta.
173Dora jote më ardhtë në ndihmë,
se kam zgjedhur porositë e tua.
174Shumë e dëshiroj shpëtimin tënd, o Zot,
ligji yt është kënaqësia ime.
175Jetoftë shpirti im e të lavdëroftë,
vendimet e tua më ndihmofshin!
176Po endem si delja e humbur,
kërkoje shërbëtorin tënd,
se urdhërimet e tua nuk i kam harruar.

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 119: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë