Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 3:1-35

Fjalët e urta 3:1-35 AL1

Biri im, mos i harro udhëzimet e mia e mbaj në zemër urdhërimet e mia, se ditë të shumta, vite jete e paqe do të të japin. Mos të lëntë mirësia, as besnikëria, ndaj vari rreth qafës e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate, se do të gjesh përkrahje e pëlqim para Perëndisë e para njerëzve. Beso në ZOTIN me gjithë zemër e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde. Mendo për të në të gjitha udhët e tua e ai do të t'i drejtojë shtigjet. Mos të të duket vetja i urtë, por druaj ZOTIN e largohu nga e keqja. Kjo do të jetë shërim për trupin tënd e freskim për eshtrat e tua. Ndero ZOTIN me tërë begatinë tënde, me frytet e para të çdo të vjele, se drithnikët e tu do të mbushen plot e vozat e tua do të pëlcasin nga vera. Biri im, mos e shpërfill mësimin e ZOTIT e mos u bezdis nga qortimi i tij, se ZOTI e ndreq atë që e do, porsi një atë birin e dashur. Lum njeriu që e ka gjetur urtinë, lum ai që ka kapur arsyen, është më e vlefshme se argjendi, më e dobishme se ari, më e çmueshme se margaritarët, e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi. Në të djathtë mban jetëgjatësinë, në të majtë pasurinë e nderin. Udhët e saj janë të këndshme, tërë shtigjet e saj të paqme. Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës; lum ai që kapet pas saj. ZOTI e themeloi tokën me urti e me mençuri i nguliti qiejt. Me dijen e tij shpërthyen humnerat e retë pikuan vesën. Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra, ruaj mençurinë e maturinë, se do të jenë jetë për ty, stoli rreth qafës sate. Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate e këmba jote nuk do të pengohet. Kur të biesh në shtrat, s'do të trembesh, do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël. Mos ki frikë nga tmerri i beftë a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë, se ZOTIN pranë do ta kesh e do të ta ruajë këmbën nga leqet. Po të jetë në dorën tënde, mos ia moho të mirën atij që i takon. Po të kesh, mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t'jap». Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd që me ty banon i qetë. Mos u grind kot me asnjeri nëse nuk të ka bërë keq. Mos e lakmo njeriun e dhunshëm e mos ndiq udhët e tij, se ZOTI ka neveri për dinakun, por me të drejtin është i dashur. Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i ZOTIT, por ai bekon banesën e të drejtit. Me tallësit ai tallet, por të përulurit i përkrah. Të urtët do të trashëgojnë nderin, kurse të marrët turpin.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Fjalët e urta 3:1-35