Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 25

25
Vijimi i fjalëve të Solomonit
1Edhe këto që kanë mbledhur njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës, janë fjalët e urta të Solomonit.
2Lavdia e Perëndisë është të veprojë në fshehtësi,
lavdia e mbretërve është të zbulojnë gjërat e fshehta.
3Qielli i lartë, toka e thellë e zemra e mbretit,
janë të pashqyrtueshme.
4Hiqja ndryshkun argjendit
e argjendari bën enën,
5hiqja sysh mbretit të paudhin
e froni i tij do të mbështetet në drejtësi.
6Mos u mburr para mbretit
e mos qëndro në vendin e të mëdhenjve,
7se është më mirë të të thonë: «Ngjitu këtu!»,
sesa të të përulin në sytë e fisnikut
që e pe me sytë e tu.
8Mos shko me ngut në gjykatë,
se çfarë do të bësh në fund,
kur të të turpërojë fqinji?
9Çështjen tënde rrihe me fqinjin tënd,
por të fshehtën e tjetrit mos e zbulo,
10se kush të dëgjon, të turpëron
e çfarë ke përfolur s'mund ta kthesh mbrapsht.
11Si mollë e artë në enë argjendi
është fjala e thënë kur duhet.
12Si vath i artë e si stoli ari të kulluar
është i urti që qorton veshin e dëgjueshëm.
13Si freskia e dëborës në kohë të korrash
është lajmëtari besnik për atë që e dërgon.
14Si retë dhe era, por pa shi,
është edhe kush mburret për dhuratat që s'i bën.
15Princi mund të bindet me durim
e gjuha e butë i thyen kockat.
16Nëse ke gjetur mjaltë, ha sa mjafton,
se po e teprove, do ta vjellësh.
17Shkel rrallë në shtëpinë e fqinjit,
që të mos lodhet me ty e të të urrejë.
18Çekan, shpatë e shigjetë e mprehtë
është ai që jep dëshmi të rreme kundër të afërtit.
19Si dhëmb i prishur e këmbë e ndrydhur
është shpresa në të pabesin në ditë ngushtice.
20Të këndosh para zemërvrarit
është si të zhvishesh në ditë të ftohtë,
si të hedhësh uthull mbi plagë.
21Po të ketë uri armiku yt, jepi bukë të hajë,
po të ketë etje, jepi ujë të pijë,
22se kështu grumbullon prush mbi kokën e tij
e Zoti do të të shpërblejë.
23Era e veriut sjell shiun,
gjuha murmuritëse fytyrën e ngrysur.
24Më mirë të banosh në qoshen e pullazit,
se të ndash shtëpinë me gruan grindavece.
25Si uji i freskët për një shpirt të etur
është lajmi i mirë nga dheu i largët.
26Si gurrë e ndotur e si burim i turbullt
është edhe i drejti që luhatet para të paudhit.
27Të hash tepër mjaltë e të kërkosh nderim pas nderimi,
nuk është mirë.
28Si kështjellë e thyer e pa mure
është edhe njeriu që s'e sundon veten.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 25: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr