Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 24

24
1Mos i ki zili njerëzit e mbrapshtë
e mos dëshiro të rrish me ta,
2se mendja e tyre pjell dhunë
e buzët e tyre nxisin trazira.
3Shtëpia ndërtohet me urti,
themelohet me mençuri.
4Falë dijes, dhomat mbushen
me të mira të çmueshme e të këndshme.
5Njeriu i urtë është i fortë,
njeriu i ditur është i fuqishëm.
6Kur përgatitesh për luftë, mendohesh mirë
e fitorja vjen falë shumë këshillave.
7Dija është tepër e lartë për të marrin,
ai s'e hap dot gojën te porta e qytetit.
8Kush synon të keqen,
quhet tinëzar.
9I marri ka synime mëkatare,
përqeshësi u neveritet të gjithëve.
10Nëse ligështohesh në ngushticë,
paske pak fuqi.
11Çliroi të dënuarit me vdekje,
ndaloi ata që zvargen drejt thertores.
12Po të thuash: «Nuk e dinim»,
a s'do ta kuptojë ai që peshon zemrat?
Ai që kujdeset për jetën tënde e di
e do t'ia kthejë secilit sipas veprave të veta.
13Ha mjaltë, biri im, se është i mirë
e hoja ta ëmbëlson gojën.
14E tillë është urtia për shpirtin tënd, ta dish,
nëse e gjen, do të kesh një të ardhme
e nuk do të të pritet shpresa.
15Mos rri në pritë, si i paudhë, te shtëpia e të drejtit
e mos e shkreto banesën e tij,
16se, i drejti, shtatë herë rrëzohet, por ngrihet,
ndërsa të paudhët bien në zezonë.
17Po u rrëzua armiku yt, mos u gëzo,
mos të të ngazëllejë zemra, kur ta zërë brenga,
18që të mos e shohë Zoti, t'i vijë keq,
e ta largojë hidhërimin e vet prej tij.
19Mos u hidhëro prej bakëqijve
e mos i ki zili të paudhët,
20se e ardhmja e të keqit nuk do të zgjatë
e llamba e të paudhëve do të shuhet.
21Druaje, biri im, Zotin dhe mbretin
e mos u përziej me ata që bëjnë ndryshe,
22se befas do të ngrihet ndëshkimi i tyre
e kush e di si do të rrënohen ata të dy?
Thënie të tjera
23Edhe këto janë për të urtët.
Të mbash anë në gjyq, nuk është mirë.
24Kush i thotë të paudhit: «Je i drejtë»,
atë do ta mallkojnë popujt e do ta nëmin kombet.
25Kush e qorton, do të gëzohet,
mbi të do të bjerë bekimi.
26Përgjigjja me fjalët e duhura
është si puthja në buzë.
27Një herë puno përjashta e bëj gati arën,
pastaj ndërtoje shtëpinë.
28Mos e padit kot fqinjin
e mos të gënjejnë buzët e tua.
29Mos thuaj: «Siç ma bëri do t'ia bëj,
do t'ia kthej secilit sipas veprës së tij».
30Kalova pranë arës së përtacit,
pranë vreshtit të njeriut të pamend,
31dhe ja: kudo ishin rritur ferrat,
e kishin mbuluar hithrat
dhe ishin shembur muret.
32Shikova e mendova,
pashë e mësova.
33Me pak gjumë e pak dremitje,
pak pushim duarkryq,
34vjen skamja si endacake,
nevoja porsi shqytar.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 24: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr