Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 4

4
Kohatitët
1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e u tha: 2«Numëroji kohatitët më vete, sipas klaneve e familjeve të etërve, 3tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. 4Në tendën e takimit ata do të kujdesen për sendet më të shenjta.
5Kur të niseni për udhë, Aroni e bijtë e tij të shkojnë për të hequr velin që të mbulojnë me të arkën e dëshmisë. 6Ta mbulojnë me lëkurë të çmuar dhe sipër tyre të shtrijnë një mbulesë të tërën ngjyrë vjollcë. Pastaj të vënë shufrat. 7Të shtrijnë një mbulesë ngjyrë vjollcë edhe mbi tryezën e paraqitjes së bukës. Të vendosin mbi të tasat, kupat, brokat dhe kanat që përdoren për fli stërpikjeje bashkë me bukën që kushtohet përherë. 8Atëherë të shtrijnë një mbulesë me ngjyrë të kuqe të ndezur. Atë ta mbulojnë me lëkurë të çmuar dhe pastaj të vënë shufrat. 9Të marrin një mbulesë ngjyrë vjollcë e të mbulojnë me të shandanin që ndriçon, llambat, mashat, kacitë dhe gjithë enët e vajit me të cilat shërbejnë. 10Këto t'i mbështjellin me lëkurë të çmuar dhe t'i vendosin në një mbajtëse. 11Altarin e artë ta mbulojnë me një mbulesë ngjyrë vjollcë, pastaj ta mbështjellin me lëkurë të çmuar e të vënë shufrat. 12Të gjitha enët me të cilat shërbejnë në shenjtërore, t'i mbulojnë me një mbulesë ngjyrë vjollcë, pastaj t'i mbështjellin me lëkurë të çmuar e t'i vendosin në një mbajtëse. 13Altarin, ta pastrojnë nga hiri dhe të shtrijnë mbi të një mbulesë me ngjyrë të purpurt. 14Mbi të, të vendosin tërë enët e altarit me të cilat shërbejnë, kacitë, pirunët, terplotet, kovat dhe ta mbështjellin me lëkurë të çmuar dhe pastaj të vënë shufrat. 15Kur të niseni për udhë, kohatitët do t'i mbartin këto vetëm pasi Aroni me bijtë e tij të përfundojnë së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj. Prandaj, ata nuk do t'i prekin që të mos vdesin. Këto do të mbartin kohatitët nga tenda e takimit.
16Eleazari, biri i priftit Aron, të jetë përgjegjës për vajin e ndriçimit, temjanin erëkëndshëm, flinë e drithit që kushtohet përherë dhe vajin e vajosjes. Ai të jetë përgjegjës për tërë tendën dhe për gjithçka që është në të, si në shenjtërore, edhe për orenditë përkatëse».
17 Zoti foli me Moisiun e Aronin e u tha: 18«Mos lejoni që klanet e kohatitëve të shuhen nga mesi i levitëve. 19Kështu veproni me ta, që të mos vdesin, por të jetojnë kur t'u afrohen sendeve më të shenjta: Aroni e bijtë e tij të shkojnë e të caktojnë punën dhe barrën e secilit, 20ndërsa kohatitët të mos hyjnë brenda, as për të parë kalimthi sendet e shenjta, përndryshe do të vdesin».
Gershonitët
21 Zoti foli me Moisiun e i tha: 22«Numëroji edhe gershonitët sipas familjeve të etërve e klaneve. 23Numëro tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. 24Këto janë sendet që gershonitët do të mbartin gjatë shërbesës së tyre: 25pëlhurat e tendës, tendën e takimit, mbulesat e saj, mbulesat me lëkurë të çmuar që janë mbi të, perden e hyrjes së tendës së takimit, 26pëlhurat e oborrit, perden e hyrjes së oborrit që rrethon tendën dhe altarin, litarët dhe tërë pajisjet përkatëse. Ata të kujdesen për gjithçka që lidhet me to. 27Gershonitët të bëjnë e të mbartin çdo gjë sipas urdhrit të Aronit e bijve të tij. Ju do t'ua caktoni si detyrë çdo gjë që do të mbartin. 28Kjo do të jetë shërbesa e gershonitëve në tendën e takimit. Ata do të shërbejnë nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron.
29Numëroji edhe meraritët sipas klaneve e familjeve të etërve. 30Numëro tërë ata që janë të aftë të shërbejnë në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç. 31Këto janë sendet që kanë për detyrë të mbartin gjatë shërbesës së tyre në tendën e takimit: 32shtyllat përreth oborrit, bazat, kunjat, litarët, tërë pajisjet përkatëse e çdo gjë tjetër lidhur me to. Caktoni me emër çdo send që kanë për detyrë të mbartin. 33Kjo do të jetë shërbesa e meraritëve në tendën e takimit. Ata do të shërbejnë nën mbikëqyrjen e Itamarit, birit të priftit Aron».
Numërimi i levitëve
34Kështu, Moisiu, Aroni e prijësit e bashkësisë i numëruan kohatitët sipas klaneve e familjeve të etërve. 35Lista e atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, 36numëronte dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë veta sipas klaneve. 37Ky ishte regjistri i tërë kohatitëve, që shërbenin në tendën e takimit, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të Zotit dhënë përmes Moisiut.
38Regjistri i gershonitëve, sipas klaneve e familjeve të etërve, 39i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, 40numëronte dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë veta sipas klaneve e familjeve të etërve. 41Ky ishte regjistri i tërë gershonitëve, që shërbenin në tendën e takimit, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të Zotit.
42Regjistri i meraritëve, sipas klaneve e familjeve të etërve, 43i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, 44numëronte tre mijë e dyqind veta sipas klaneve. 45Ky ishte regjistri i meraritëve, përpiluar nga Moisiu e Aroni sipas urdhrit të Zotit dhënë përmes Moisiut.
46Kështu, regjistri i tërë levitëve, përpiluar nga Moisiu, Aroni e prijësit e Izraelit, sipas klaneve e familjeve të etërve, 47i tërë atyre që ishin të aftë të shërbenin në tendën e takimit, nga tridhjetë deri në pesëdhjetë vjeç, 48numëronte tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë veta. 49Ata u regjistruan një më një nga Moisiu, nën drejtimin e Zotit, sipas shërbesave e detyrave përkatëse. Regjistri u përpilua siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Aktualisht i përzgjedhur:

Numrat 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr