Atëherë tërë bashkësia vuri kujën e vajtoi gjatë gjithë asaj nate. Të gjithë izraelitët murmuritën kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «Më mirë të kishim vdekur në Egjipt ose këtu në shkretëtirë. Pse po na çon ZOTI në këtë tokë? Që të vdesim prej shpate e që gratë e fëmijët të na zihen rob? A nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt?». Ata i thoshin njëri-tjetrit: «Të caktojmë një prijës tjetër e të kthehemi në Egjipt». Atëherë Moisiu e Aroni ranë me fytyrë përdhe përpara tërë bashkësisë së izraelitëve. Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut, dy nga vëzhguesit, i shqyen rrobat e i thanë bashkësisë së izraelitëve: «Toka që përshkuam e hetuam është tej mase e mirë. Nëse ZOTI na përkrah, do të na çojë në këtë vend e do të na e japë tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. Mos ngrini krye kundër ZOTIT! Mos e kini frikë popullin e vendit, se është kafshatë e vogël për ne. Ata s'ka kush t'i ndihmojë, ndërsa me ne është ZOTI. Mos i kini frikë!». Mirëpo tërë bashkësia e izraelitëve donte t'i vriste me gurë. Atëherë lavdia e ZOTIT iu dëftua të gjithë izraelitëve në tendën e takimit
Lexo Numrat 14
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Numrat 14:1-10
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë
Kreu
Bibla
Plane
Video