Numrat 11
11
Populli murmurit
1Populli murmuriti ligësisht kundër Zotit. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre dhe zjarri i zemërimit të tij përpiu skajet e fushimit. 2Populli i thirri Moisiut. Ai iu lut Zotit e zjarri u shua. 3Kështu, ai vend u quajt Taberah, sepse atje zjarri i Zotit u ndez kundër tyre.
4Gjindjen e huaj që ishte me popullin e Izraelit e kapi grykësia. Atyre iu bashkuan edhe izraelitët e filluan të qahen sërish: «Kush do të na japë mish për të ngrënë? 5Ende na kujtohet peshku që hanim falas në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët e hudhrat. 6Por tani, na është tharë barku e s'na shohin sytë gjë tjetër veç manës!».
7Mana ishte si fara e koriandrës, nga ngjyra i ngjante bdelit. 8Populli dilte anembanë, e mblidhte, e bluante në mokër ose e shtypte në havan. Pastaj e ziente në kusi dhe e bënte kulaç. Shijen e kishte si kulaçi me vaj. 9Kur binte vesa e natës në fushim, binte edhe mana.
10Moisiu dëgjoi si qahej populli, çdo familje e çdo njeri, në tendën e vet. Zoti u zemërua shumë dhe Moisiu u mërzit. 11Atëherë Moisiu i tha Zotit: «Përse e mundon shërbëtorin tënd? Përse nuk gjeta hir para teje, që ma ngarkove si barrë tërë këtë popull? 12Mos e ngjiza dhe e polla unë tërë këtë popull që të më thuash mbaje në gji ashtu siç e mban mëndesha foshnjën, deri sa të arrijë në vendin që iu premtove etërve të tij? 13Ku ta gjej mishin për tërë këtë popull që më qahet e më thotë: “Na jep mish për të ngrënë!”? 14Unë s'e mbaj dot vetëm barrën e tërë këtij populli, sepse është tepër e rëndë për mua. 15Po u solle kështu me mua, vritmë një herë e mirë në më do, që të mos e shoh më mjerimin tim».
Shtatëdhjetë pleqtë
16 Zoti i tha Moisiut: «Më mblidh shtatëdhjetë burra nga pleqtë e Izraelit që i njeh si të tillë dhe silli te tenda e takimit. Të paraqiten atje bashkë me ty. 17Atje do të zbres edhe unë e do të flas me ty. Do t'u jap shpirtin që është në ty edhe të shtatëdhjetë burrave, që të mbajnë barrën e popullit bashkë me ty. Kështu, nuk do ta mbash barrën vetëm. 18Popullit thuaji: “Nesër shenjtërohuni, se do të hani mish. Zoti do t'ju japë mish për të ngrënë, sepse u qatë para tij e thatë: ‘Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim mirë në Egjipt!’. 19Do të hani mish jo vetëm për një, dy, pesë, dhjetë apo njëzet ditë, 20por për tërë muajin derisa t'ju vijë në majë të hundës e t'ju neveritet, sepse e përbuzët Zotin që është mes jush kur iu qatë e i thatë: ‘Përse dolëm nga Egjipti?’”». 21Por Moisiu i tha: «Populli që është me mua ka gjashtëqind mijë këmbësorë e ti thua se do t'u japësh për të ngrënë mish për një muaj?! 22A thua qetë e dhentë apo tërë peshqit e detit do të mjaftojnë për ta?». 23Zoti i tha Moisiut: «Mos i është tharë dora Zotit?! Tani do të shohësh nëse fjala ime do të plotësohet apo jo».
24Moisiu doli dhe i tregoi popullit fjalët e Zotit. Pastaj mblodhi shtatëdhjetë burra nga pleqtë e popullit dhe i vendosi përreth tendës. 25Atëherë Zoti zbriti në re, foli me Moisiun dhe u dha shtatëdhjetë pleqve shpirtin që ishte në Moisiun. Kur shpirti u preh mbi ta, ata filluan të profetizojnë, por kjo nuk u përsërit më.
26Dy nga pleqtë qëndruan në fushim. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Ata ishin përzgjedhur, por nuk kishin shkuar te tenda. Megjithatë, shpirti u preh edhe mbi ta e ata filluan të profetizojnë në fushim. 27Një djalosh vrapoi dhe i tregoi Moisiut: «Eldadi e Medadi po profetizojnë në fushim». 28Atëherë, Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Moisiut që në rini, i tha Moisiut: «Imzot, ndaloji!». 29Moisiu iu përgjigj: «Pse ke smirë? Ah, sikur tërë populli i Zotit të profetizonte dhe Zoti t'u jepte shpirtin e tij!». 30Pastaj Moisiu dhe pleqtë e Izraelit u kthyen në fushim.
Shkurtat
31Atëherë me urdhër të Zotit u ngrit një erë që mbarti shkurta nga deti dhe i solli në fushim. Shkurtat mbuluan një sipërfaqe sa dy kute mbi tokë dhe sa një dite udhë, anembanë fushimit. 32Populli u çua dhe tërë ditën e tërë natën, madje edhe të nesërmen, mblodhi shkurta. Ai që mblodhi më pak kishte një mijë kilogramë. Pastaj i shtrinë përreth fushimit. 33Pa e përtypur mirë mishin, u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit dhe i goditi shumë rëndë. 34Prandaj dhe vendi u quajt Kibrot Hatavah, sepse atje u varrosën grykësit. 35Populli u nis nga Kibrot Hatavahu e mbërriti në Hacerot.
Aktualisht i përzgjedhur:
Numrat 11: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020