Ditën e njëzetekatërt të po këtij muaji, izraelitët u mblodhën për agjërim, të veshur me grathore e të mbuluar me pluhur. Pasardhësit e Izraelit u ndanë veç nga të gjithë të huajt, qëndruan më këmbë e rrëfyen mëkatet dhe fajet e etërve të vet. U ngritën më këmbë në vendin e vet dhe lexuan librin e ligjit të ZOTIT, Perëndisë së tyre, për një të katërtën e ditës, ndërsa për një të katërt tjetër u rrëfyen e ranë përmbys para ZOTIT, Perëndisë së tyre. Atëherë, Jeshuai, Baniu, Kadmieli, Shebanjahu, Buniu, Sherebiahu, Baniu e Kenani u ngritën mbi shkallaren e levitëve e thirrën ZOTIN, Perëndinë e tyre, me zë të lartë. Pastaj levitët Jeshua, Kadmiel, Baniu, Hashabenjah, Sherebiah, Hodiah, Shebanjah, Petahiah thanë: «Ngrihuni e bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, përherë e përgjithmonë. Bekuar qoftë emri yt i lavdishëm që u lartësua mbi çdo bekim e lavdërim.