Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 9

9
Riti për faljen e mëkateve
1Ditën e njëzetekatërt të po këtij muaji, izraelitët u mblodhën për agjërim, të veshur me grathore e të mbuluar me pluhur. 2Pasardhësit e Izraelit u ndanë veç nga të gjithë të huajt, qëndruan më këmbë e rrëfyen mëkatet dhe fajet e etërve të vet. 3U ngritën më këmbë në vendin e vet dhe lexuan librin e ligjit të Zotit, Perëndisë së tyre, për një të katërtën e ditës, ndërsa për një të katërt tjetër u rrëfyen e ranë përmbys para Zotit, Perëndisë së tyre. 4Atëherë, Jeshuai, Baniu, Kadmieli, Shebanjahu, Buniu, Sherebiahu, Baniu e Kenani u ngritën mbi shkallaren e levitëve e thirrën Zotin, Perëndinë e tyre, me zë të lartë. 5Pastaj levitët Jeshua, Kadmiel, Baniu, Hashabenjah, Sherebiah, Hodiah, Shebanjah, Petahiah thanë: «Ngrihuni e bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, përherë e përgjithmonë. Bekuar qoftë emri yt i lavdishëm që u lartësua mbi çdo bekim e lavdërim. 6Ti, vetëm ti je Zoti. Ti i krijove qiejt dhe qiejt e qiejve me tërë ushtritë e tyre, tokën me gjithçka është në të e detin me gjithçka është në të. Të gjithave ti ua jep jetën e ushtritë e qiejve bien përmbys para teje. 7Ti je Zoti, Perëndia që zgjodhi Abramin, e nxori nga Uri i kaldenjve e i dha emrin Abraham. 8Ti e pe se zemra e tij ishte besnike ndaj teje dhe lidhe me të besëlidhjen, për t'u dhënë pasardhësve të tij tokën e kananitëve, të hititëve, të amoritëve, të perisitëve, të jebusitëve e të girgashitëve, dhe e mbajte fjalën, sepse ti je i drejtë. 9Ti e pe pikëllimin e etërve tanë në Egjipt dhe e dëgjove britmën e tyre te deti i Kuq. 10Bëre shenja e mrekulli kundër faraonit, kundër gjithë shërbëtorëve të tij e kundër mbarë popullit të tokës së tij, sepse e dije si i kishin poshtëruar etërit tanë. Bëre emër për vete gjer më sot. 11Hape detin para tyre e ata kaluan përmes detit nëpër terë, ndërsa përndjekësit e tyre i hodhe në humnerë, si gurin në ujëra të thella. 12Gjatë ditës i udhëhoqe me një shtyllë reje e gjatë natës me një shtyllë zjarri, për t'u ndriçuar udhën, ku po ecnin. 13Zbrite mbi malin Sinai e fole me ta nga qielli. U dhe vendime të drejta, ligje të vërteta, rregulla e urdhërime të mira. 14U bëre të njohur të shtunën tënde të shenjtë e u dhe urdhërime, rregulla e ligje, me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd. 15U dhe bukë prej qielli për t'ua shuar urinë e u nxore ujë prej shkëmbit për t'ua shuar etjen e u the të shkonin e të merrnin në zotërim tokën që ishe betuar t'ua jepje.
16Por ata, etërit tanë, u treguan kryeneçë e kokëfortë e nuk i dëgjuan urdhërimet e tua. 17Nuk deshën të dëgjonin e nuk u kujtuan për mrekullitë që kishe bërë mes tyre, por u treguan kokëfortë, ngritën krye e caktuan një prijës që të ktheheshin në skllavëri. Por ti je Perëndi që fal, përdëllyes e i mëshirshëm, i ngadaltë në zemërim e plot besnikëri, prandaj nuk i braktise. 18Edhe kur ata bënë viçin prej metali e thanë: “Ky është perëndia yt, që të nxori nga Egjipti”, duke të fyer rëndë, 19ti, në mëshirën tënde të madhe, nuk i braktise në shkretëtirë. Shtylla e resë, që i udhëhiqte, nuk u largua prej tyre gjatë ditës, as shtylla e zjarrit që gjatë natës u tregonte udhën nga duhej të shkonin. 20Ti u dhurove Shpirtin tënd të mirë, për t'i mësuar, e nuk ua hoqe nga goja manën, madje u dhe edhe ujë për të shuar etjen. 21Për dyzet vjet i ushqeve në shkretëtirë e nuk u mungoi asgjë, nuk iu vjetruan petkat e nuk iu ënjtën këmbët. 22U dhe mbretëri e popuj, ua ndave me kufij e ata morën tokën e Sihonit, tokën e mbretit të Heshbonit dhe tokën e Ogut, mbretit të Bashanit. 23Ti ua shumove pasardhësit si yjet e qiellit e i solle në tokën, ku u kishe thënë etërve të tyre të hynin, për ta marrë në zotërim. 24Pasardhësit e tyre hynë dhe e morën në zotërim tokën e ti ua nënshtrove banorët e asaj toke, kananitët, e ua dorëzove me mbretër e me popuj të asaj toke, që të bënin me ta si të donin. 25Ata pushtuan qytete të fortifikuara e tokë pjellore dhe morën në zotërim shtëpi plot me gjithë të mirat, puse të hapura, vreshta, ullishta e pemë frutore me begati. Hëngrën, u nginë, u majmën e u zdërhallën falë mirësisë sate të madhe. 26Por nuk u bindën, të kundërshtuan, hodhën pas shpine ligjin tënd dhe i vranë profetët e tu, që u kishin bërë thirrje të ktheheshin kah ti, e të fyen rëndë. 27Atëherë ti i le në dorë të armiqve të tyre e ata i nëpërkëmbën, por, kur u gjetën ngushtë, të thirrën ty e ti, prej qiellit, i dëgjove dhe sipas mëshirës sate të madhe, u dhe shpëtimtarë që i shpëtuan nga dora e armiqve të tyre. 28Por, kur gjenin prehje, përsëri bënin ligësi para teje e ti i braktisje në duart e armiqve të tyre që i nënshtronin. Pastaj të thërrisnin ty e ti, prej qiellit, i dëgjoje dhe, sipas mëshirës sate, i shpëtoje herë pas here. 29Ti i qortoje, që të ktheheshin te ligji yt, por ata krekoseshin e nuk i dëgjonin urdhërimet e tua. Mëkatonin kundër vendimeve të tua, megjithëse njeriu që i zbaton, jeton prej tyre. Nuk e përkulën kurrizin, nuk e ulën kokën e nuk të dëgjuan. 30Ti pate durim me ta për shumë vite e i qortove me anë të Shpirtit tënd e me anë të profetëve të tu, por ata nuk ta vunë veshin, prandaj ua le në dorë popujve të botës. 31Gjithsesi, falë mëshirës sate të madhe, nuk u dhe fund e nuk i braktise, se ti je Perëndi përdëllyes e i dhembshur. 32Tani, o Perëndia ynë, Perëndi i madh, i fuqishëm e i tmerrshëm, që e mban besëlidhjen e mirësinë, mos e nënçmo kobin që ra mbi ne, mbi mbretërit, prijësit, priftërinjtë, profetët e etërit tanë dhe mbi mbarë popullin tënd, që prej kohës së mbretërve të Asirisë e gjer më sot.
33Ti ke qenë i drejtë në gjithçka që ka rënë mbi ne, se ti ke vepruar me besnikëri e ne me ligësi. 34Mbretërit, prijësit, priftërinjtë dhe etërit tanë nuk e zbatuan ligjin tënd, nuk u kujdesën as për urdhërimet e tua, as për dëshmitë e tua përmes të cilave i qortove. 35Edhe kur patën mbretërinë e tyre, begatinë e madhe, që ti u dhe, dhe tokën e gjerë e pjellore, që ti ua dorëzove, nuk të shërbyen e nuk hoqën dorë nga veprimet e liga. 36Ja, sot ne jemi skllevër. Në tokën që ti ua dhe etërve tanë për t'u ushqyer me frytet e me të mirat e saj, ne tani jemi skllevër. 37Prodhimet e saj të begata i marrin mbretërit që ti i caktove mbi ne për shkak të mëkateve tona. Ata sundojnë mbi trupat tanë e mbi bagëtitë tona si të duan e ne jemi në ngushticë të madhe».

Aktualisht i përzgjedhur:

Nehemia 9: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë