Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 8:6-17

Nehemia 8:6-17 AL1

Atëherë Ezra e bekoi ZOTIN, Perëndinë e madh, ndërsa gjithë populli, me duart lart, u përgjigj: «Amen! Amen!». Pastaj ranë përmbys me fytyrë përdhe para ZOTIT. Jeshuai, Baniu, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabetai, Hodiahu, Masejahu, Kelitai, Azarjahu, Jozabadi, Hanani, Pelajahu e levitët, e ndihmuan popullin ta kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në vendin e vet. Ata e lexonin librin e ligjit të Perëndisë dhe e sqaronin. I nxirrnin kuptimin, që ta kuptonin leximin. Nehemia, që ishte qeveritar, Ezra, që ishte prift e shkrues, si dhe levitët, të cilët e mësonin popullin, i thanë mbarë popullit: «Kjo ditë i kushtohet ZOTIT, Perëndisë suaj. Mos vajtoni e mos qani». Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e ligjit. Atëherë Nehemia u tha: «Shkoni, hani ushqime të majme, pini pije të ëmbla e çojuni një pjesë atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, se kjo ditë është e shenjtë për Zotin tonë. Mos u mërzitni, sepse gëzimi i ZOTIT është streha juaj». Kështu, levitët e qetësuan mbarë popullin, duke i thënë: «Heshtni, se kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni». Tërë populli shkoi për të ngrënë e për të pirë, për t'u dhënë një pjesë të tjerëve e për të gëzuar shumë, sepse i kishin kuptuar fjalët që u ishin thënë. Të nesërmen kryefamiljarët e mbarë popullit u mblodhën me priftërinjtë e levitët te shkruesi Ezra për të përimtuar fjalët e ligjit. Në ligjin që ZOTI kishte urdhëruar me anë të Moisiut, zbuluan se populli i Izraelit duhej të jetonte në kasolle gjatë festimeve të muajit të shtatë e se festimet duheshin shpallur me zë në të gjitha qytetet dhe në Jerusalem, duke thënë: «Dilni nëpër male e sillni gema ullinjsh të butë e të egër, gema boronicash, gema palmash e gema pemësh gjethore, sikurse është shkruar». Atëherë populli doli e i solli. Ndërtuan për vete kasolle, secili mbi pullazin e shtëpisë së vet, nëpër treme, në tremen e tempullit të Perëndisë e në sheshin e Portës së Ujit, si edhe në sheshin e Portës së Efraimit. Mbarë bashkësia e të kthyerve nga skllavëria bënë kasolle e banuan në to. Qysh prej kohës së Jeshuait, birit të Nunit, deri më atë ditë, Izraeli nuk kishte bërë diçka të tillë, prandaj u bë gëzim i madh.