Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 8:1-12

Nehemia 8:1-12 AL1

Atëherë mbarë populli u mblodh si një trup i vetëm në sheshin përballë Portës së Ujit e i thanë shkruesit Ezra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Perëndia i kishte urdhëruar Izraelit. Në ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezra e solli ligjin para kuvendit të burrave, grave dhe të gjithë atyre që mund të kuptonin e të dëgjonin. E lexoi me zë në sheshin para Portës së Ujit, deri në mesditë, para burrave, grave e atyre që ishin në gjendje ta kuptonin. I gjithë populli i vuri vesh librit të ligjit. Shkruesi Ezra qëndroi në një shkallare druri, që e kishin përgatitur për këtë gjë, ndërsa bri tij rrinin Matitjahu, Shemai, Ananjahu, Urjahu, Hilkiahu e Masejahu, në krahun e djathtë, e në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkjahu, Hashumi, Hashbadanahu, Zakaria e Meshulami. Ezra e hapi librin para syve të mbarë popullit, se ishte më lart se tërë populli. Kur e hapi, mbarë populli u ngrit më këmbë. Atëherë Ezra e bekoi ZOTIN, Perëndinë e madh, ndërsa gjithë populli, me duart lart, u përgjigj: «Amen! Amen!». Pastaj ranë përmbys me fytyrë përdhe para ZOTIT. Jeshuai, Baniu, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabetai, Hodiahu, Masejahu, Kelitai, Azarjahu, Jozabadi, Hanani, Pelajahu e levitët, e ndihmuan popullin ta kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në vendin e vet. Ata e lexonin librin e ligjit të Perëndisë dhe e sqaronin. I nxirrnin kuptimin, që ta kuptonin leximin. Nehemia, që ishte qeveritar, Ezra, që ishte prift e shkrues, si dhe levitët, të cilët e mësonin popullin, i thanë mbarë popullit: «Kjo ditë i kushtohet ZOTIT, Perëndisë suaj. Mos vajtoni e mos qani». Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e ligjit. Atëherë Nehemia u tha: «Shkoni, hani ushqime të majme, pini pije të ëmbla e çojuni një pjesë atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, se kjo ditë është e shenjtë për Zotin tonë. Mos u mërzitni, sepse gëzimi i ZOTIT është streha juaj». Kështu, levitët e qetësuan mbarë popullin, duke i thënë: «Heshtni, se kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni». Tërë populli shkoi për të ngrënë e për të pirë, për t'u dhënë një pjesë të tjerëve e për të gëzuar shumë, sepse i kishin kuptuar fjalët që u ishin thënë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë