Kur e dëgjova ankimin e tyre bashkë me këto fjalë, u zemërova shumë. U mendova me vete, pastaj i qortova fisnikët e zyrtarët e u thashë: «Ju u kërkuakeni kamatë vëllezërve». Atëherë thirra kundër tyre një mbledhje të madhe e u thashë: «Për sa kemi mundur, ne i kemi shpaguar vëllezërit tanë judenj që ishin shitur te të huajt. Mirëpo edhe ju po i shitkeni vëllezërit tuaj, të cilët, prapë do të na i shesin neve». Atëherë ata heshtën e nuk gjenin fjalë. Unë u thashë: «Kjo që po bëni ju, nuk është gjë e mirë. A nuk duhet të jetoni me drojën e Perëndisë sonë, që të mos tallen me ju kombet armike? Edhe unë, vëllezërit e mi e shërbëtorët e mi, po u japim hua grurë e para. Le të heqim dorë nga kamata. Ktheuani sot arat, vreshtat, ullishtat e shtëpitë, sikurse edhe një të qindtën e parave, grurit, verës e vajit, që keni marrë prej tyre». Ata thanë: «Do t'u kthejmë çfarë u morëm e nuk do t'ua kërkojmë më. Do të veprojmë siç po na thua ti». Atëherë thirra priftërinjtë e i bëra të betoheshin se do ta mbanin fjalën. Shkunda edhe kindin e petkut tim e thashë: «Kështu e shkundtë Perëndia me shtëpi e katandi këdo që nuk do ta mbajë këtë fjalë! Kështu u shkundtë e u zbraztë!». Tërë bashkësia u përgjigj: «Amen» dhe lavdëruan ZOTIN. Pastaj populli e mbajti këtë fjalë.
Lexo Nehemia 5
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Nehemia 5:6-13
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video