Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 5:1-13

Nehemia 5:1-13 AL1

Një herë populli e gratë e tyre u ankuan shumë kundër vëllezërve të vet judenj. Pati nga ata që thoshin: «Kemi shumë bij e bija, prandaj duhet të marrim grurë, që të hamë e të jetojmë». Pati edhe nga ata që thoshin: «Duhet të lëmë peng arat, vreshtat e shtëpitë, për të marrë grurë në kohë zie». Por pati edhe nga ata që thoshin: «Me arat e vreshtat tona huajtëm para për t'i paguar tagrin mbretit. Prej një mishi jemi ne e vëllezërit tanë, bijtë tanë janë si bijtë e tyre, por ja, ne po i japim skllevër bijtë e bijat tona. Disa nga bijat tona janë skllavëruar tashmë e nuk mund të bëjmë asgjë, sepse arat e vreshtat tona i kanë marrë të tjerët». Kur e dëgjova ankimin e tyre bashkë me këto fjalë, u zemërova shumë. U mendova me vete, pastaj i qortova fisnikët e zyrtarët e u thashë: «Ju u kërkuakeni kamatë vëllezërve». Atëherë thirra kundër tyre një mbledhje të madhe e u thashë: «Për sa kemi mundur, ne i kemi shpaguar vëllezërit tanë judenj që ishin shitur te të huajt. Mirëpo edhe ju po i shitkeni vëllezërit tuaj, të cilët, prapë do të na i shesin neve». Atëherë ata heshtën e nuk gjenin fjalë. Unë u thashë: «Kjo që po bëni ju, nuk është gjë e mirë. A nuk duhet të jetoni me drojën e Perëndisë sonë, që të mos tallen me ju kombet armike? Edhe unë, vëllezërit e mi e shërbëtorët e mi, po u japim hua grurë e para. Le të heqim dorë nga kamata. Ktheuani sot arat, vreshtat, ullishtat e shtëpitë, sikurse edhe një të qindtën e parave, grurit, verës e vajit, që keni marrë prej tyre». Ata thanë: «Do t'u kthejmë çfarë u morëm e nuk do t'ua kërkojmë më. Do të veprojmë siç po na thua ti». Atëherë thirra priftërinjtë e i bëra të betoheshin se do ta mbanin fjalën. Shkunda edhe kindin e petkut tim e thashë: «Kështu e shkundtë Perëndia me shtëpi e katandi këdo që nuk do ta mbajë këtë fjalë! Kështu u shkundtë e u zbraztë!». Tërë bashkësia u përgjigj: «Amen» dhe lavdëruan ZOTIN. Pastaj populli e mbajti këtë fjalë.