Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 8:27-38

Marku 8:27-38 AL1

Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?». Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët». Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti». Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të. Ai filloi t'i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej. Ai ua tha haptas këto fjalë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë e filloi ta qortojë. Por Jezui u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin e i tha: «Largohu prej meje, Satan, se nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». Dhe thirri pranë vetes turmën bashkë me dishepujt e u tha: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim e të ungjillit, do ta shpëtojë atë. Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? Nëse dikush ka turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të pafe e mëkatare, po ashtu do të ketë turp për ta edhe Biri i njeriut kur të vijë me engjëjt e shenjtë në lavdinë e Atit të tij».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Marku 8:27-38