Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 8:1-26

Marku 8:1-26 AL1

Ato ditë u mblodh përsëri një turmë e madhe e meqë nuk kishin ç'të hanin, Jezui i thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nëse i nis në shtëpi të uritur, do të mbeten rrugës dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg». Por dishepujt iu përgjigjën: «E si mund t'i ngopim me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?». Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë». Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t'i shtronin dhe ata ia shtruan turmës. Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve t'i shtronin edhe këto. Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta. Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau. Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt e shkoi në krahinën e Dalmanutës. Atëherë erdhën farisenjtë e filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t'i jepet asnjë shenjë». Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër. Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë. Jezui i porositi: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e nga tharmi i Herodit». Por ata i thanë njëri-tjetrit: «Flet kështu, se nuk kemi bukë me vete». Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po thoni? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni e nuk merrni vesh? A ju është ngurtësuar zemra? Keni sy e nuk shikoni? Keni veshë e nuk dëgjoni? Nuk ju kujtohet vallë kur theva pesë bukët për pesë mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Dymbëdhjetë». «Po kur theva shtatë bukët për katër mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Shtatë». Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?». Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër e iu lutën ta prekte. Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij, i vuri duart dhe e pyeti: «A sheh gjë?». Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin». Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë. Jezui e dërgoi në shtëpi e i tha: «Mos hyr fare në fshat».