Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 6

6
Profeti dhe vendlindja
(Mt 13.53-58; Lk 4.16-30)
1Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas. 2Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç'është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij? 3A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. 4Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij». 5Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. 6Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre.
Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1, 5-15; Lk 9.1-6)
Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. 7Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë 8e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, 9por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. 10Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. 11E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta#6.11 dorëshk. të tjera edhe: Me vërtetë ju them se ditën e gjyqit për Sodomën dhe Gomorrën, do të jetë më e lehtë sesa për këtë qytet».
12Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin 13si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin.
Vrasja e Gjon Pagëzorit
(Mt 14.1-12; Lk 9.7-9)
14Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 15Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë». 16Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur». 17Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar. 18Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd». 19Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje.
21Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. 22Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». 23Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». 24Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». 25Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». 26Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. 27Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, 28pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës.
29Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21; Lk 9.10-17; Gjn 6.1-14)
30Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve. 31Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin. 32Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm. 33Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre#6.33 dorëshk. të tjera edhe: dhe u mblodhën rreth tij.
34Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t'u mësonte shumë gjëra. 35Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan e i thanë: «Vendi është i shkretë e është bërë vonë. 36Lëri të shkojnë nëpër fushat e fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!». 37Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!». Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t'u japim për të ngrënë?». 38Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni». Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq». 39Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t'i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër. 40Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. 41Pasi mori pesë bukët e dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët e ua dha dishepujve të vet, që t'i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve. 42Të gjithë hëngrën e u ngopën 43dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me çka teproi nga peshqit.
44Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.
Ecja mbi ujë
(Mt 14.22-33; Gjn 6.15-21)
45Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën. 46Si u nda prej tyre, shkoi në mal për t'u lutur.
47Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg. 48Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, se kishin erën kundër dhe, në të gdhirë#6.48 ose: aty nga roja katërt e natës, erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t'i kalonte. 49Kur e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë e bërtitën, 50sepse të gjithë e kishin parë e ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 51Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi.
52Nuk kishin kuptuar asgjë për bukët, se zemra e tyre ishte ngurtësuar.
Shërimi në Gjenesaret
(Mt 14.34-36)
53Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe lidhën varkën. 54Sapo dolën nga varka, njerëzit e njohën menjëherë Jezuin 55dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë e filluan të mbartnin të sëmurët në vigje e t'ia sillnin kudo që merrnin vesh se ishte. 56Kudo që hynte, në fshatra, në qytete a nëpër ara, vendosnin të sëmurët nëpër sheshe e i luteshin t'i preknin së paku cepin e gunës. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 6: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr