Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 3:20-35

Marku 3:20-35 AL1

Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë. Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete». Por shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve». Jezui i thirri pranë vetes e filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin? Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë. Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë. Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund. Por askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë nëse nuk e ka lidhur më parë të fortin. Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë. Me të vërtetë po ju them se gjithçka do t'u falet bijve të njerëzve, edhe mëkatet që kanë bërë, edhe fyerjet ndaj Perëndisë, por kushdo që fyen Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet në amshim. Ai është fajtor me mëkat të amshuar». Jezui i tha të gjitha këto, sepse ata thoshin: «Është i pushtuar nga një shpirt i ndyrë». Ndërkaq erdhën e ëma dhe vëllezërit e tij. Ata u ulën përjashta dhe dërguan dikë për ta thirrur. Një turmë rrinte ulur rreth tij e dikush i tha: «Nëna jote, vëllezërit e tu e motrat janë përjashta e po të kërkojnë». Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». Pastaj vështroi ata që ishin ulur rreth tij e tha: «Ja nëna ime e vëllezërit e mi. Kushdo që bën vullnetin e Perëndisë është vëllai im, motra ime e nëna ime».