Jezui hyri përsëri në një sinagogë dhe aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Farisenjtë e vëzhgonin me kujdes për të parë nëse do ta shëronte ditën e shtunë, që të mund ta padisnin. Jezui i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e dil në mes!». Pastaj iu drejtua atyre: «A është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën, të shpëtosh një jetë apo të vrasësh?». Por ata heshtën. Jezui pa përreth i zemëruar dhe, me keqardhje për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua plotësisht.
Farisenjtë dolën përjashta e u këshilluan me herodianët që ta vrisnin.
Jezui shkoi bashkë me dishepujt drejt liqenit, ku e ndoqi një turmë e madhe njerëzish nga Galilea e Judeja, nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai. Jezui u tha dishepujve t'i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma, sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur. Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë». Dhe ai i urdhëronte rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.
Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai dhe ai caktoi të dymbëdhjetët, që i quajti apostuj, që të qëndronin me të e t'i dërgonte të predikonin, duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë. Ja të dymbëdhjetët: Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër, Jakobi, biri i Zebedeut, e Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë «bijtë e bubullimës», Andrea e Filipi, Bartolomeu e Mateu, Thomai e Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë. Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete».