Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 15:21-47

Marku 15:21-47 AL1

Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Pastaj e kryqëzuan dhe hodhën short për të ndarë rrobat e tij, që të shihnin çfarë do t'i binte secilit. Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan. Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve». Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin. Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eloi, Eloi lema sabakthani? » që e përkthyer do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? ». Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur». Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë. Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja, të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem. Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës. Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur. Pasi u njoftua nga kryeqindësi, ia dha kufomën Jozefit. Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit. Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin.