Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:53-72

Marku 14:53-72 AL1

Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e shkruesit. Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, e u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit. Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin. Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin. Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij e thanë: «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut e për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”». Por as dëshmia e tyre nuk përkonte. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui heshti e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?». Jezui iu përgjigj: «Unë jam. Do të shihni Birin e njeriut ulur në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit ». Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje. Disa filluan ta pështynin, t'i mbulonin fytyrën e ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit». Por ai e mohoi e tha: «Nuk po e marr vesh e as nuk po e kuptoj se ç'thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli. Shërbëtorja e pa e filloi t'u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre». Por ai e mohoi përsëri. Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, se je galileas». Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni». Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç'i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Marku 14:53-72

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë