Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:12-23

Marku 14:12-23 AL1

Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?». Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij e u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni e atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”. Dhe në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën». Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën. Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët. Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë». Ata filluan të trishtohen e i thoshin një nga një: «Mos jam unë?». Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre e tha: «Merrni, ky është trupi im». Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj.