Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:1-25

Marku 14:1-25 AL1

Pas dy ditësh ishte Pashka dhe festa e Bukëve të ndorme. Kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin sesi ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull». Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit. Aty gjendeshin disa veta që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës? Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë e këto t'u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan. Por Jezui u tha: «Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. Të varfrit i keni gjithmonë me ju e mund t'u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë. Ajo bëri çfarë mundi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim. Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri». Atëherë Judë Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë, që t'ua dorëzonte Jezuin. Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan e i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar. Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?». Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij e u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni e atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”. Dhe në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën». Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën. Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët. Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë». Ata filluan të trishtohen e i thoshin një nga një: «Mos jam unë?». Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre e tha: «Merrni, ky është trupi im». Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj. Dhe u tha: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes, që derdhet për shumë njerëz. Në të vërtetë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë».