Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 13:14-37

Marku 13:14-37 AL1

«Por kur të shihni tmerrin e shkretimit që qëndron atje ku nuk i takon, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër, sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, e të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë. Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë që do të bëjnë shenja e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit. Por kini kujdes! Unë ju paralajmërova për të gjitha». «Në ato ditë, pas pikëllimit, dielli do të errësohet e hëna nuk do të ndriçojë. Yjet do të bien nga qielli e pushtetet që janë në qiell do të tranden. Pastaj do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet të madh e me lavdi. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, prej skajeve të dheut deri te skajet e qiellit». «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Kini kujdes e rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë koha. Kjo është si puna e atij njeriut që niset për rrugë. Ai largohet nga shtëpia, i cakton secilit shërbëtor punën e vet dhe e urdhëron rojtarin e derës të rrijë zgjuar. Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë, në mbrëmje a në mesnatë, në agim a në mëngjes, që nëse vjen befasisht, të mos ju gjejë në gjumë. Atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!».