Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 13:1-13

Marku 13:1-13 AL1

Kur dolën nga tempulli, njëri prej dishepujve i tha: «Mësues, shiko ç'gurë e ç'ndërtesa!». Jezui i tha: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Kur u ul në malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andrea e pyetën Jezuin veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se të gjitha ato do të përmbushen?». Atëherë Jezui filloi t'u thoshte: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri. Shumë veta do të vijnë në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. Kur të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Në disa vende do të ketë tërmete e zi buke. Ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Por kini kujdes për veten, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju rrahin nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t'ju nxjerrin të dëshmoni para princave e mbretërve. Por më parë ungjilli duhet t'u predikohet të gjitha kombeve. Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çfarë do të thoni, por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, se nuk do të jeni ju ata që flisni, por Shpirti i shenjtë. Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet».