Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan. Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave e s'lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar: shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjitha kombet. Por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij. Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti. Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. Pjetri u kujtua e i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni e kështu do të bëhet. Dhe kur ngriheni për t'u lutur, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni atë, që edhe Ati juaj që është në qiell t'jua falë paudhësitë tuaja».
Lexo Marku 11
Dëgjoj Marku 11
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Marku 11:12-26
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video