Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 10:35-52

Marku 10:35-52 AL1

Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan e i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë». Ai u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». Ata i thanë: «Na lejo që në lavdinë tënde të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde». Por Jezui u tha: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem unë?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën që do të pi unë do ta pini edhe ju e do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem edhe unë, por që të uleni në të djathtën a në të majtën time, nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre për të cilët janë përgatitur». Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me Jakobin e me Gjonin. Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se ata që e mbajnë veten si krerë të kombeve sundojnë mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve, sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi t'i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz». Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt e me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës. Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». Jezui ndaloi e tha: «Thirreni!». Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret». Ai hodhi tej gunën, brofi më këmbë e shkoi te Jezui. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri». Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit.