Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan. Kur i pa, Jezui u zemërua e u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!». Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur».
Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje». Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë ose atë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish, shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit e të fundit do të jenë të parët».
Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t'u tregonte çfarë do t'i ndodhte: «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do t'ua dorëzojnë kombeve. Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet».