Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 10:13-27

Marku 10:13-27 AL1

Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan. Kur i pa, Jezui u zemërua e u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta. Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!». Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë