Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 9:1-17

Mateu 9:1-17 AL1

Si hipi në varkë, Jezui kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet. Atëherë i sollën një të paralizuar, të shtrirë në një vig. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Merr zemër, biri im, të janë falur mëkatet». Disa nga shkruesit thanë me vete: «Ky po fyen Perëndinë». Meqenëse Jezui i njihte mendimet e tyre, u tha: «Pse keni këto mendime të këqija në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”? Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». Ai u ngrit e shkoi në shtëpi. Kur panë këtë gjë, turmat i zuri frika dhe përlëvduan Perëndinë që u kishte dhënë njerëzve një pushtet kaq të madh. Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave. Ai quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij. Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?». Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: dua mëshirë e jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët». Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit e i thanë: «Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». Jezui u tha: «A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë. Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën e grisja bëhet më e madhe. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja».