Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 5:21-48

Mateu 5:21-48 AL1

«Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit». «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë». «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore». «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu». «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua». «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin, që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve? Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Mateu 5:21-48

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë