Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 5:1-26

Mateu 5:1-26 AL1

Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu: «Lum të varfrit në shpirt, se e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, se do të ngushëllohen. Lum të butët, se do të trashëgojnë tokën. Lum të uriturit e të eturit për drejtësi, se do të ngihen. Lum të mëshirshmit, se do të mëshirohen. Lum zemërdëlirët, se do të shohin Perëndinë. Lum paqebërësit, se do të quhen bij të Perëndisë. Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë, se e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin, të thonë të gjitha të këqijat kundër jush me gënjeshtra për shkakun tim. Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej. Kështu përndoqën edhe profetët para jush». «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej». «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve». «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Mateu 5:1-26