Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 3:1-17

Mateu 3:1-17 AL1

Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë: një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër. Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi dhe mos mendoni se do t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr. Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë». Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij. Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur».