Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 28:1-15

Mateu 28:1-15 AL1

Pas së shtunës, në mëngjes herët, Maria Magdalena dhe Maria tjetër erdhën për të parë varrin. Papritur ra një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, rrokullisi gurin e u ul mbi të. Fytyra e engjëllit shndriste si vetëtima e rrobat i kishte të bardha si dëbora. Rojat i zuri një frikë aq e madhe, saqë u drodhën e mbetën si të vdekur. Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë. Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t'ju thënë». Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin». Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». Ata morën paratë e bënë siç i mësuan. Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë