Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 27:32-56

Mateu 27:32-56 AL1

Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë. Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Pastaj u ulën e po e ruanin. Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë. Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar». Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë