Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 27:27-55

Mateu 27:27-55 AL1

Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar. Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë. Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Pastaj u ulën e po e ruanin. Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë. Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar». Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë