Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 27:1-56

Mateu 27:1-56 AL1

Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit. Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten. Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi: i morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit, e blenë me to Arën e Poçarit, siç më kishte urdhëruar Zoti. Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin. Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira. Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin. Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar. Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë. Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Pastaj u ulën e po e ruanin. Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë. Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar». Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.