Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini as ditën e as orën».
«Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që, para se të nisej për në një vend të huaj, thirri shërbëtorët e vet e u besoi pasurinë. Njërit i dha pesëqind monedha ari, një tjetri dyqind e tjetrit njëqind, secilit sipas aftësisë që kishte. Pastaj u nis për rrugë. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, shkoi menjëherë, bëri tregti me to dhe fitoi edhe pesëqind të tjera. Po ashtu, ai që kishte marrë dyqind monedha, fitoi edhe dyqind të tjera. Por, ai që kishte marrë njëqind monedha, shkoi, gërmoi tokën e i fshehu atje monedhat e zotërisë së vet.
Pas një kohe të gjatë i zoti i këtyre shërbëtorëve erdhi e bëri llogaritë me ta. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, erdhi e solli edhe pesëqind të tjera e tha: “Zotëri, më dhe pesëqind monedha, ja, fitova edhe pesëqind të tjera”. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”. Edhe ai që kishte marrë dyqind monedha erdhi e tha: “Zotëri, më dhe dyqind monedha, ja, fitova edhe dyqind të tjera”. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”.
Edhe ai që kishte marrë njëqind monedha, erdhi e tha: “Zotëri, unë të njoh për njeri të rreptë, që korr ku nuk ke mbjellë e mbledh ku nuk ke shpërndarë, prandaj pata frikë dhe shkova e i fsheha në tokë monedhat që më dhe. Merri, ja ku i ke!”. Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i mbrapshtë e përtac. Ti e paske ditur se unë korrkam ku nuk kam mbjellë e mblidhkam ku nuk kam shpërndarë? Atëherë duhej t'i kishe futur paratë e mia në bankë që, kur të kthehesha, t'i merrja bashkë me fitimin.
Prandaj merrjani këtij monedhat e jepjani atij që ka një mijë, se atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do t'i teprojë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo që ka. Shërbëtorin e pavlerë hidheni përjashta në errësirë, ku ka vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”».