Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 24:29-51

Mateu 24:29-51 AL1

«Fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të errësohet e hëna nuk do të japë dritë. Yjet do të bien nga qielli e pushtetet qiellore do të tranden. Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës». «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë, dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja e i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet. Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet. Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini në ç'ditë vjen Zoti. Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni». «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë e ha e pi me të dehurit, atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret e në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë