Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 22:23-46

Mateu 22:23-46 AL1

Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu ka thënë: nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet. Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve». Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij. Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». Jezui i tha: « Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët». Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti: «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit». Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e quan atë Zot kur thotë: i tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa t'i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua. Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?». Askush nuk mundi t'i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.