Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 22:1-22

Mateu 22:1-22 AL1

Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”. Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur». Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë. Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush. Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit, apo jo?». Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë? Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë. Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.