Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 21:1-46

Mateu 21:1-46 AL1

Kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj përpara e u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe menjëherë do të gjeni të lidhur një gomaricë e një kërriç. Zgjidhini e sillini tek unë. Nëse ju thotë gjë njeri, i thoni: “Zoti ka nevojë për ta e do t'jua kthejë menjëherë”». Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit: i thoni bijës së Sionit: ja, po vjen te ti mbreti yt, plot butësi, hipur mbi një gomaricë e një kërriç, të voglin e gomaricës. Dishepujt shkuan e vepruan siç i urdhëroi Jezui. Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to. Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë. Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij, thërrisnin: « Hosana birit të Davidit, bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, Hosana në lartësitë e qiejve!». Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?». Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë». Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. Dhe u tha: «Është shkruar: shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje, por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbrit e të çalët dhe ai i shëronte. Por kryepriftërinjtë e shkruesit, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan e i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi ». Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën. Në mëngjes herët, ndërsa po kthehej në qytet, Jezuin e mori uria. Ai pa një fik ndanë rrugës, iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve. Atëherë i tha fikut: «Mos dhënç më kurrë fryt!». Dhe fiku u tha në çast. Kur dishepujt e panë këtë gjë, u çuditën dhe pyetën: «Si u tha kaq shpejt fiku?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim e të mos ngurronit, do të bënit jo vetëm çfarë i bëra unë fikut, por do t'i thoshit këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe kjo do të ndodhte. Çfarëdo që të kërkoni me besim përmes lutjes, do ta merrni». Jezui kishte hyrë në tempull e po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra». «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot”. Ai iu përgjigj: “Nuk dua”. Por më vonë u pendua e shkoi. Shkoi te djali tjetër e i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi. Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?». Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë. Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë e ju nuk i besuat, por tagrambledhësit e laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje e nuk besuat». «Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: i zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj. Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit. Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta. Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. Por kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t'i marrim trashëgiminë”. Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?». Ata i thanë: «Do t'i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t'ua japë vreshtarëve të tjerë që do t'ia japin të vjelat në kohën e duhur». Jezui u tha: «A nuk keni lexuar kurrë në Shkrime: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ». Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do të japë fryte në të. Kushdo që bie mbi këtë gur do të copëtohet dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë». Kur kryepriftërinjtë e farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e Jezuit, e kuptuan se po fliste për ta dhe donin ta kapnin, por kishin frikë nga turma që e mbante Jezuin për profet.