Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 21:1-17

Mateu 21:1-17 AL1

Kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, në malin e Ullinjve, Jezui dërgoi dy dishepuj përpara e u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe menjëherë do të gjeni të lidhur një gomaricë e një kërriç. Zgjidhini e sillini tek unë. Nëse ju thotë gjë njeri, i thoni: “Zoti ka nevojë për ta e do t'jua kthejë menjëherë”». Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit: i thoni bijës së Sionit: ja, po vjen te ti mbreti yt, plot butësi, hipur mbi një gomaricë e një kërriç, të voglin e gomaricës. Dishepujt shkuan e vepruan siç i urdhëroi Jezui. Sollën gomaricën me kërriçin, u vunë përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi to. Shumë veta nga turma shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë prisnin degët e pemëve dhe i shtronin në rrugë. Turmat që ecnin përpara Jezuit dhe ato pas tij, thërrisnin: « Hosana birit të Davidit, bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, Hosana në lartësitë e qiejve!». Kur Jezui hyri në Jerusalem, u vu në lëvizje mbarë qyteti. Njerëzit pyesnin: «Kush është ky?». Dhe turmat thoshin: «Ky është profeti Jezu nga Nazareti i Galilesë». Jezui hyri në tempull dhe dëboi që andej të gjithë ata që shisnin e blinin. Përmbysi tezgat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e tregtarëve të pëllumbave. Dhe u tha: «Është shkruar: shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje, por ju e keni bërë shpellë kusarësh». Kur ishte në tempull, Jezuit i çonin të verbrit e të çalët dhe ai i shëronte. Por kryepriftërinjtë e shkruesit, kur panë mrekullitë që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull: «Hosana Birit të Davidit!», u zemëruan e i thanë: «A e dëgjon çfarë thonë këta?». Jezui u tha: «Po. A nuk e keni lexuar ndonjëherë: nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave more lavdi ». Pastaj ai u largua e shkoi jashtë qytetit, në Betani, ku kaloi natën.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë